Do të diskutohet për shkarkimin e Mandiqit, një reagim i furishëm në sallën plenare
Prej tvteuta13:08, 11 Mars 2024
Ka filluar seanca e Kuvendit, në rend dite të së cilës janë disa propozim-ligje, ndërsa deputetët do të diskutojnë edhe për nismën për shkarkimin e kryeparlamentarit Andrija Mandiq. Deputeti i Lëvizjes Evropa Tani, Vailije Çarapiq, e tërhoqi propozimin për të hequr nga rendi i ditës pika për shkarkimin e Mandiqit.
Nisma për shkarkimin e Mandiqit është paraqitur nga Partia Demokratike e Socialistëve, me arsyetimin se ai nuk është i denjë për ta kryer atë funksion, por Lëvizja Evropa Tani (PES) ka kërkuar që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës së seancës.
Deputeti i Lëvizjes Evropa Tani Vasilije Çarapiq tha se ka paraqitur propozim që pika për shkarkimin e Mandiqit të hiqet nga rendi i ditës për shkak se nuk është rënë dakord në nivel opozitar, por më pas ka thënë se po e tërheq atë propozim duke shpresuar në një debat pa tensione dhe retorikë nxitëse.
“Jemi të vetëdijshëm që nuk ka vota të mjaftueshme për këtë iniciativë. Gjithashtu deklarova se duhet të ruajmë stabilitetin social, se nuk duhet të kemi tensione dhe retorikë nxitëse. Deri në ngjarjen në Cetinë ka pasur marrëveshje që të diskutohen të gjitha iniciativat e opozitës, mirëpo pas Cetinës kemi pyetur veten dhe kemi thënë se a do të zvarritim vazhdimisht tema të tilla nëpër Kuvend dhe do të ngremë tension”, tha ai.
Mandiq tha se nuk ka nga kush të ikë e as të skuqet.
“Sa i përket Andrija Mandiqit, unë jam gjithmonë për diskutim. Nuk i shmangem asnjë pike të rendit të ditës, por e kuptoj të drejtën e klubit më të fortë që nuk dëshiron të diskutojë për pikat që na lëvizin larg synimit kryesor të kësaj maxhorance. Për sa më përket mua, kjo mund të jetë pika e parë”, tha Mandiq.
Çarapiq tha se nuk do të marrë iniciativën për shkarkimin e Mandiqit, por se pret që të ndodhë.
Në rend dite, përveç propozimit për shkarkimin e Mandiqit, do të jenë edhe propozimet për ligje për ndryshimin e Ligjit për arsimin e lartë, për ndryshimet në Ligjin për listën zgjedhore dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillim dhe ndihmën humanitare ndërkombëtare.
Deputetët do të diskutojnë edhe për propozimin për ndryshimin e ligjit për sigurimin, për propozimin e ligjit për menaxhimin e mbeturinave, si dhe në rendin e ditës janë edhe propozimet për ndryshime në Ligjin për shkarkimet industriale dhe për produktet biocide, si dhe për pikën e zgjedhjeve, emërimet dhe shkarkimet.
Kuvendi theksoi se është një rend dite e propozuar dhe se për të deputetët do të deklarohen në vetë seancën.