Aktuale Më shumë

Dinosha njofton largimin nga UDSH

Prej tvteuta17:12, 1 Korrik 2022

Ish-kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe ish-ambasador i Malit të Zi në Shqipëri dhe Kosovë, Ferhat Dinosha, ka bërë të ditur se nuk është më kryetar nderi dhe as anëtar i asaj partie , pas siç tha ai, ftohjes së marrëdhënieve me liderin aktual Mehmet Zenka.

“Dua të njoftoj opinionin se nuk jam më kryetar nderi dhe as anëtar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve . Pauza shumëvjeçare gjatë së cilës isha ambasador i Malit të Zi në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës shkaktoi një ftohje të marrëdhënieve me kryetarin aktual të partisë Mehmet Zenka dhe një rënie të dukshme të fuqisë politike të partisë”, tha Dinosha. Përveç kësaj,  tha ai, zhgnjim ka krijuar edhe ndarja në Degën e Malësisë, e me këtë edhe krijimin e dy grupeve politike.

“Me kthimin në vendlindje, e me kërkesën e shumë anëtarëve dhe simpatizantëve, bëra gjithçka për të pajtuar të dy palët, për të kthyer në radhët e degës një grup të përjashtuar që tashmë ishte identifikuar si Unioni i Tuzit. Grupi pranoi të kthehet në degë dhe të bëhet pjesë e kryesisë së saj, me kusht që unë si koordinator të marr përkohësisht drejtimin e degës dhe Enis Gjokaj të tërhiqet nga posti i kryetarit të saj, deri në tejkalimin e situatës. Këtë ia përcolla Gjokajt dhe bashkëpunëtorëve të tij, u thashë që ta informojnë kryetarin e partisë dhe të më kthejnë përgjigje, por nuk e mora përgjigjen e pritur”, tha Dinosha. E gjithë kjo , tha ai  e ka  detyruar të ndërmarrë hapin më të vështirë dhe më të padëshiruar në karrierën t politike.

“Unë do t’u jem përgjithmonë mirënjohës anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve të UDSH-së, të cilëve u premtoj se nëse Zoti më dhuron shëndet dhe jetëgjatësi, në një mënyrë apo tjetër, do të vazhdoj të kontribuoj në mirëqenien e shqiptarëve dhe proceseve demokratike në Mal të Zi”, tha ndër të tjera Dinosha.

 

 

 

 

 

  • 1

    Radio