Rajoni/Bota Më shumë

Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak optimist për përparimin në disa tema

Prej tvteuta12:51, 29 Tetor 2024

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë të martën se ndihet optimist për pak përparim të arritur në disa çështje me rëndësi gjatë një takimi të kryenegociatorëve javën e kaluar në Bruksel.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk arritën pajtueshmëri gjatë për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje gjatë takimit të tyre trepalësh me Lajçakun të enjten në Bruksel, por u pajtuan në disa çështje të tjera.

Lajçak tha të martën në Facebook se, derisa nuk u arrit ndonjë rezultat për rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes së viti 2023, “jam optimist për pak përparim të arritur në disa çështje të rëndësishme, për të cilat do të vazhdojmë punën në javët në vijim”.

Pas takimeve të së enjtes, Bislimi njoftoi se palët ishin pajtuar për disa çështje, përfshirë themelimin e një grupi punues, i cili do t’i harmonizojë rreth 20 certifikata veterinere, të cilat përdoren për kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova e ka akuzuar Serbinë në të kaluarën se i ka penguar mallrat dhe bizneset kosovare që kalojnë transit nëpër territorin e Serbisë, pasi Beogradi nuk njeh certifikatën fitosanitare të lëshuar nga Republika e Kosovës.

Ai tha gjithashtu se Lajçak i njoftoi gjatë takimit se Serbia është zotuar se deri në fund të muajit të ardhshëm do të lëshohen linjat e interkoneksionit, që ka qenë marrëveshje e energjisë e vitit 2022.

Takimi i së enjtes ishte i pari trepalësh pas më shumë se tre muajve mes Bislimit dhe Petkoviqit, por ata përsëri dështuan të arrijnë pajtueshmëri për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Duke folur pas takimit, Bislimi tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

“Fatkeqësisht për temën kryesore që jemi mbledh, nuk ka rezultat. Serbia me gjasë ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, tha Bislimi.

Kryenegociatori serb Petkoviq tha se Beogradi “nuk po ikë” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë, por se Prishtina duhet të jetë e para që do të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova ngul këmbë se kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është detyruese për palët pavarësisht nënshkrimit, dhe e ka akuzuar Serbinë edhe në të kaluarën se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të saj.

  • 1

    Radio