Aktuale Më shumë

Deputetët sot për ndryshimin e Rregullores dhe zgjedhjen e nënkryetarëve

Prej tvteuta12:36, 16 Gusht 2024

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi diskutojnë sot në një seancë të jashtëzakonshme për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, sipas të cilit maksimumi dy nënkryetarë të Kuvendit mund të jenë nga partitë e pakicave.

Propozimin për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit e kanë dorëzuar një grup deputetësh të shumicës parlamentare.

Në rendin e ditës të seancës së jashtëzakonshme është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit, për të cilin është propozuar deputeti i Partisë Boshnjake, Mirsad Nurkoviq.

Deputetët do të diskutojnë edhe për Propozimin për ndryshime në Ligjin e Përgjithshëm për Arsimin, ku ndër të tjera parashikohet që ministri i Arsimit të zgjedhë dhe shkarkojë drejtorët e institucioneve arsimore.

Në rendin e ditës janë edhe propozimet për ligjet për ndryshimin e Ligjit për Energjinë dhe amendamentet e Ligjit për Prokurimin Publik, si dhe Propozimi për Ligjin për Bankën Zhvillimore të Malit të Zi.

Në seancën e dytë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar menjëherë pas të parës, deputetët do të diskutojnë për Propozimin për ndryshimin e Ligjit për Punë të Brendshme.

Në rendin e ditës të asaj seance janë edhe propozimet për ndryshime në ligjin për pronën shtetërore, për koncesionet dhe për energjinë, si dhe Propozimi për Ligjin për shfrytëzimin e energjisë nga burimet e rinovueshme.

 

  • 1

    Radio