Zyrtari i LQ URA dënohet në Kroaci, Abazoviq shprehet se ishte lajm i papritur
Prej tvteuta12:12, 26 Janar 2024
Shtetasi malazez dhe zyrtari i LQ URA, Nikolla Hot (30) nga Ulqini dhe shtetasit kroatë Marijo Zvjerkoviq (44) dhe Mario Mijalliq (29) u dënuan me nga katër vjet burg për kontrabandë marijuane nga Shqipëria në Kroaci.
Sipas aktakuzës, ata e kishin blerë marijuanën në Shqipëri dhe e transportonin nëpërmjet Malit të Zi në Kroaci, ku e shisnin.
Ata akuzohen nga aktakuza e USKOK-ut dhe janë shpallur fajtorë pas seancës kryesore në Gjykatën e Qarkut në Split.
Qytetarët kroatë janë Marijo Zvjerkoviq (44) dhe Mario Mijalliq (29), të dy nga Dubrovniku, ndërsa malazezi Nikola Hot (30) është nga Ulqini.
Në periudhën nga fundi i vitit 2015 deri në mesin e vitit 2016, ata kanë kontrabanduar nga Shqipëria në Kroaci nëpërmjet Malit të Zi të paktën 8.5 kilogramë marijuanë, të cilën e kanë blerë me çmimin 2500 euro për kilogram. Me të njëjtin aktgjykim, ata detyrohen t’i kthejnë të ardhurat e fituara nga shitja e drogës, nga 9.900 euro.
Në lidhje me këtë Lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq është shprehur se ky lajm ka qënë i papritur për të, duke qënë se Hot njihet për vlerat e tij njerëzore. Por gjithsesi, Abazoviq shprehet se çdo kush duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta, dhe nëse e ka bërë një gjë të tillë për të cilën akuzohet, drejtësia duhet të vendoset për të gjithë.