Delegacioni i Komunës së Ulqinit dorëzoi ndihmat në Durrës
Prej tvteuta10:28, 30 Nëntor 2019
Ditën e djeshme një delegacion i Komunës së Ulqinit, i kryesuar nga vetë kryetari Loro Nrekiq dhe zyrtarët e tjerë më të lartë të pushtetit lokal, udhëtuan drejt qytetit të Durrësit ku dorëzuan ndihmat e grumbulluara. Ndihmat e përbëra kryesisht nga mjete higjenike, u dorëzuan pranë Shtabit të emergjencës të cilët bëjnë grumbullimin e tyre dhe pastaj shpërndarjen në vendet ku ata më së shumti nevojiten, tha për TV Teuta zv.ministrja e punëve të brendshme, Rovena Voda. Gjatë qëndrimit në Durrës, delegacioni nga Ulqini vizitoi edhe Spitalin rajonal ku u takuan me drejtoreshën Nadire Jani. Gjatë vizitës në Bashkinë e Durrësit, kryetari Nrekiq shprehu përkrahjen maksimale për popullin e Durrësit dhe zonave të tjera të goditura nga tërmeti, dhe ofroi mundësinë e akomodimit në Ulqin për familjet që kanë mbetur pa strehim. Më pas ata vizituan edhe pjestarët e Shëbimit të mbrojtjes dhe shpëtimit nga Ulqini, të cilët ndodhen në Durrës dhe po kontrbuojnë në operacionet e shpëtimit.