Sociale Më shumë

DASH u sugjeron qytetarëve që të mos udhëtojnë për në Mal të Zi

Prej tvteuta18:38, 17 Shkurt 2021

Departamenti Amerikan i Shtetit u ka lëshuar rekomandime të reja amerikanëve për udhëtime ndërkombëtare, në të cilat qytetarët e këtij vendi këshillohen të mos udhëtojnë në Mal të Zi për shkak të gjendjes me Covid-19, për çka është lëshuar një paralajmërim i nivelit më të lartë, atij të katërt. Në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit thuhet se udhëtarët që shkojnë në Malin e Zi mund të përballen me mbylljen e kufijve dhe aeroporteve, ndalimet e udhëtimit, urdhrat për të mos lënë shtëpinë, mbylljet e biznesit dhe kushte të tjera emergjente për shkak të Covid 19, njoftoi Zëri i Amerikës. Departamenti i Shtetit tha se rregullisht vlerëson dhe ndryshon rekomandimet për udhëtimet ndërkombëtare, bazuar në informacionin nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe kushtet aktuale në vend.

Kjo qendër thekson në faqen e saj të internetit se udhëtarët duhet të shmangin të gjitha udhëtimet në Mal të Zi pasi kjo mund të rrisë mundësinë e infektimit dhe përhapjen e Covid 19. Udhëtarët që duhet të udhëtojnë në Malin e Zi këshillohet të testohen një deri në tre ditë para udhëtimit dhe të mos udhëtojnë nëse janë duke pritur rezultatet,  janë testuar pozitivisht ose janë të sëmurë. Gjithashtu rekomandohet që para se të kthehen në Shtetet e Bashkuara, udhëtarët të testohen për sëmundje dhe që të marrin masa për të parandaluar përhapjen pas mbërritjes – duke përfshirë mbajtjen e maskave jashtë shtëpisë dhe distancimin fizik nga njerëzit të cilët nuk janë anëtarë të familjeve të tyre.

Rekomandimet e udhëtimit të lëshuara nga Departamenti i Shtetit mbulojnë katër nivele – niveli i parë është vendet ku amerikanët këshillohen të marrin masat e zakonshme paraprake dhe i katërti janë vendet ku nuk rekomandohet udhëtimi.

  • 1

    Radio