Aktuale Më shumë

D.Llolla: Rëndësia e mbështetjes së iniciativave që promovojnë zhvillimin e kulturës qytetare

Prej tvteuta10:18, 13 Janar 2017

Para dy ditësh, së bashku me drejtorin e Qendrës Kulturore Ulqin, vendosëm për të konkretizuar diskutimet e nisura nga iACT në shtator të vitit të kaluar, rreth mënyrave për ta ringjallur jetën kulturore në qytet. Në vijim të vlerësimit të kujdesshëm të hapësirave dhe mundësive për bashkëpunim, nënshkruam një model unik Memorandum Bashkëpunimi, të parin e një lloji të tillë, jo vetëm për qytetin e Ulqinit por edhe më gjërë.

Për të qartësuar arsyet e kësaj iniciative, në përgjigje të disa qëndrimeve kundërshtuese si edhe për të evidentuar problematika që historikisht kanë frenuar jetësimin e çdo lloj fryme të re në Ulqin, së pari dua të shprehem rreth qëllimit parësor të sektorit të të cilit i përkas.

Secila prej organizatave joqeveritare mbulon një ose disa fusha të caktuara, krijon dhe implementon programe me vlerë të shtuar dhe të çmuar, me qëllimin për të kontribuar në përmbushjen e nevojave dhe mungesave në komunitet. Mirëpo, dhe pse detyra kryesore e secilit prej nesh që zgjedhim pjesëmarrjen aktive në procese zhvillimore, është që të identifikojmë hapësirat për veprim, para së gjithash, ne duhet të mësohemi të heqim dore nga qasja jo konstruktive ndaj iniciativave që janë jashtë fushës tonë të veprimit ose të përceptimit. Besoj se pikërisht ky fenomen është njëri prej faktorëve që ka kontribuar rëndësishëm në situaten në të cilën ne ndodhemi sot në Ulqin.

Thënë kjo, është i domosdoshëm promovimi i një mendësie të re, gjykuar si nga këndvështrimi i pjesëmarrjes përmbajtësore, nivelit të profesionalizmit gjatë implementimit të programeve, etj. Besoj thellësisht te suksesi i një komuniteti i cili ushqen një frymë inkurajuese për secilin individ ose grup individësh, që zgjedhin t`i implementojnë idetë e tyre inovatore, në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive, në funksion të së mirës publike. Si komunitet, duhet t`i kushtojmë më shumë vëmendje këtyre aspekteve si dhe t`i hapim rrugë projekteve ambicioze, në rastin konkret projekteve që synojnë zhvillimin e kulturës qytetare.

Së dyti, në sektorin civil në Ulqin prej kohësh nuk pulson “gjak” i ri. Vendi ynë është i etur për një debat të depolitizuar dhe për ide të reja e inovatore, të prezantuara në një terren të pavarur dhe konkurrues. Është e domosdoshme që të krijojmë kushte të përshtatshme për një terren të tillë, i cili nxit shkëmbimin e ideve të reja, e jo ta frenojmë këtë proces duke e kontaminuar me teori të pabazuara konspiracionesh politike dhe psikologjike.

Në vijim, shtroj disa sugjerime për faktorët të cilët në të ardhmën mund të kontribuojnë rëndësishëm në mbështetjen e nismave të reja, të domosdoshme për zhvillimin kulturor të vendit tonë:

– Institucionet lokale dhe qendrore, të cilat duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me qendrat kulturore dhe me sektorin civil, jo vetëm në kuadër të zbatimit të strategjive përmes financimit të projekteve, por edhe gjatë procesit të hartimit te këtyre strategjive.

– Bizneset dhe ndërmarrjet që veprojnë në sektorin e turizmit, çdo investim në projekte kulturore nuk duhet ta konsiderojnë “para e hedhur kot”. Këto investime ndikojnë në pozicionimin e qytetit të Ulqinit në harten e vendeve të rëndësishme dhe konkuruese në rajon nga pikëpamja e ofertës kulturore, rrjedhimisht duke ndikuar në kërkesë të shtuar turistike.

– Diaspora përmes kontributit të saj ka rol të veçantë në ringjalljen e jetës kulturore, si edhe ka rëndësi simbolike në mbështetjen e nismave që nxisin ruajtjen dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore. Parë nga ky këndvështrim, është e domosdoshme vëmendja e saj e vazhdueshme dhe mbështetja e plotë për nismat e reja në territorin ku jetojnë pakicat shqiptare.

– Rëndësia e komunikimit dhe bashkëpunimit të institucioneve dhe organizatave joqeveritare me komunitetin e donatorëve ndërkombëtar.

Së fundmi, uroj fillimin e një kapitulli të ri dhe të mbarë për një vend ku teatri, kinemaja apo qendrat kulturore dhe rinore, do jenë alternativa të zakonshme për zbavitjen dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve tanë, për një Ulqin më të mirë dhe dinjitoz për të jetuar, për të punuar dhe për të ftuar miq nga qytete dhe vende të tjera.

Shkrim nga Drita Llolla, drejtore ekzekutive e OJQ “Unë veproj” (iACT)

  • 1

    Radio