Cungu: Pjesërisht i kënaqur me punën e ndërmarrjeve komunale
Prej tvteuta16:54, 5 Korrik 2017
Kryetari i Komunës Nazif Cungu mori sot pjesë në mbledhjen e trupit koordinues për përcjelljen e sezonit turistik, ku mori edhe informacionet e duhura për problemet që ekzistojnë në qytet në këtë fillim sezoni. Ai për televizionin Teuta tha se nga problemet më të mëdhenj vazhdojnë të përsëriten mungesa e vendeve të parkimit, rritja e numrit të lypsarëve dhe bagëtitë endacake.
Cungu u shpreh shumë i kënaqur me punën dhe efikasitetin e ndërmarrjes “Veprimtaritë komunale”, e cila me punën e vet i ka tejkaluar mundësitë që ka. Ai tha se policia komunale duhet të rrisë efikasistetin e vet dhe të punojë më shumë në sanksionimin e atyre që thyejn rregullat komunale, pasi periudha e paralajmërimit tashmë ka kaluar. Cungu u bëri apel qytetarëve të Ulqinit që gjatë sezonit të përdorin sa më pak automjetet, në mënyrë që vendet e kufizuara të parkimit të jenë në dispozicion të turistëve.