Cilësi i mirë e shalqinit në Ulqin. Prodhuesit të kënaqur edhe me çmim
Prej tvteuta17:17, 22 Gusht 2023
Në Ulqin jo të gjithë merren me turizëm. Ka edhe nga ata që ende preferojnë bujqësinë dhe kultivimin e pemëve ose perimeve. Disa zona në periferi të qytetit, si ajo e Zogajve, janë mjaf të përshtatshme për kultivimin e tyre.
Shalqini, ose bostani si e thërrasin këtej, në këtë pjesë del nga më cilësorët. Këtë vit, një pjesë e madhe e atyre që tradicionalisht e kultivojnë bostanin, nuk ishin të sigurtë nëse duhej ta ndërmerrnin këtë veprimtari, pasi përvoja e viteve të kaluara jo gjithmonë ishte e mirë. Çmimi i ulët dhe jorrallëherë edhe moti i lig, u krijonin probleme të mëdha, por këtë vit faktorët e ndryshëm ndikuan jo vetë në një prodhim të mirë, por edhe çmim të kënaqshëm.
Një nga prodhuesit më të vjetër të kësaj kulture, Fadil Doda, thotë për TV Teuta se janë të kënaqur me prodhimin e sivjetshëm, sidomos cilësinë.
“Edhe çmimi është i kënaqshëm.” thotë Doda, i cilë këtë vit ka mbjellur 1.3 hektarë.
Në Ulqin grumbullimi i këtij produkti bujqësor, por edhe i të tjerëve, asnjëherë nuk është arritur të organizohet në mënyrë sistematike, çka ndikon edhe në motivimin e tyre për të vazhduar më tej. Por, disa si Fadili, nuk kanë ndërmend të dorëzohen.
“Kultivimin e bostanit e kam bërë për 45 vjet dhe me ndihmën e Zotit do ta vazhdoj derisa të kem fuqinë.”- thotë Doda.
Çmimi i bostanit në Ulqin këtë sezon nuk ka rënë nën 50 cent, çka është çmim i mirë për prodhuesit, por jo edhe për qytetarët, të cilët ankohen se gjithnjë e më pak kanë mundësi ta konsumojnë. Por tregu, ashtu edhe si për prodhimet e tjera, ka rregullat e veta. Vitin tjetër, për arsye të ndryshme, rolet mund të jenë komplet të kundërta.