Aktuale Më shumë

CAS-i merr vendim në korrik për futbollin e Rusisë

Prej tvteuta15:50, 23 Qershor 2022

Ankesat ruse kundër ndalimeve nga futbolli ndërkombëtar për shkak të luftës së vendit në Ukrainë do të shqyrtohen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në muajin korrik, raportoi AP.

Gjykata më 5 korrik do të dëgjojë apelimin e Federatës së Futbollit të Rusisë kundër vendimit të përbashkët të FIFA-s dhe UEFA-s, për të pezulluar përfaqësueset e saj dhe klubet disa ditë pasi Rusia e pushtoi Ukrainën në shkurt.

Një seancë e dytë dëgjimore e CAS-it më 11 korrik do të shqyrtojë edhe një apel nga katër klube ruse, duke përfshirë kampionin Zenit Shën Petersburgun, kundër përjashtimit nga garat e ardhshme të UEFA-s në nivel klubesh. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori atë vendim të veçantë më 2 maj mes vendimeve që prekin më shumë se 15 gara evropiane.

Përfaqësuesja e femrave të Rusisë gjithashtu u përjashtua nga Kampionati Evropian që nis muajin e ardhshëm në Angli.

Avokatët dhe zyrtarët e përfshirë në rastet konfirmuan datat e dëgjimit të CAS-it, të cilat ende nuk janë renditur zyrtarisht nga gjykata.

Vendimet urgjente mund të kërkohen nga klubet ruse përpara ndeshjeve të planifikuara për rundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe garat e tjera të UEFA-s, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.

Çështjet e profilit të lartë të futbollit mund të vendosin për çështje të ngjashme apelimi që janë në pritje në CAS midis Rusisë dhe organeve drejtuese të sporteve olimpike.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka thënë se pezullimi i sportistëve dhe ekipeve ruse nuk synon t’i ndëshkojë ata, por të mbrojë sigurinë dhe integritetin e ngjarjeve në një kohë të ndjenjave “të thella antiruse”.

UEFA dhe FIFA në vendosjen e ndalesave të tyre thanë më 28 shkurt se “futbolli është plotësisht i bashkuar këtu dhe në solidaritet të plotë me të gjithë njerëzit e prekur në Ukrainë”.

Zyrtarët rusë të futbollit u përpoqën të ngrinin ndalimin e FIFA-s përpara ndeshjes së plejofit për kualifikim në Kampionatin Botëror “Katari 2022” më 24 mars, por kjo u refuzua nga një gjyqtar i CAS-it. Kundërshtari i planifikuar i Rusisë, Polonia, kishte refuzuar të luante ndeshjen, duke përmendur pushtimin e Ukrainës.

Avokatët e FIFA-s mbështetën lëvizjen e Polonisë dhe më vonë përmendën rrezikun e pasojave “të pariparueshme dhe kaotike” për Kupën e Botës në Katar nëse Rusia lejohej të luante dhe më pas të kalonte në turneun final në nëntor.

“Duke marrë parasysh të gjithë këta faktorë, FIFA duhet të veprojë për të garantuar organizimin efikas dhe mbarëvajtjen e garave të saj”, argumentoi organi drejtues i futbollit në gjykatë në mars.

Avokatët e Federatës së Futbollit të Rusisë argumentuan se ndalimi ishte “një sanksion disiplinor i maskuar” ku iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Këshillin e FIFA-s.

Polonia përfundimisht u kualifikua në Kupën e Botës dhe më 1 prill u caktua të jetë pjesë e grupit së bashku me Argjentinën, Meksikën dhe Arabinë Saudite në turneun e Katarit.

Edhe nëse Federata ruse e futbollit fiton apelin e saj në CAS, duket se nuk ka gjasa që përfaqësueset e meshkujve dhe femrave të rikthehen në Kupën e Botës ose “Euro 2022” për femra. Fitorja për klubet ruse në apelin e tyre të 11 korrikut duhet të çojë në rikthimin në garat e klubeve të UEFA-s për sezonin 2022/23, të cilat kapin vlerën e dhjetëra milionë eurove në shpërblime për pjesëmarrje.

Zenit do të kishte hyrë direkt në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, e cila nis në muajin shtator.

Nënkampioni i Rusisë, Sochi, do të duhej të përfshihej më 18 korrik në shortin e rundit të tretë kualifikues të Championsit. Ndeshjet e para janë planifikuar nga data 2-3 gusht.

CSKA Moska dhe Dynamo e Moskës gjithashtu iu bashkuan apelit të paraqitur në mes të muajit maj përpara përfundimit të sezonit. Dynamo, Krasnodar dhe Spartak Moska më vonë përfunduan në vendet kualifikuese për garat evropiane.

Tre gjyqtarët në seancën dëgjimore të klubeve përfshijnë avokatin amerikan Jeffrey Benz.

Në Lojërat Olimpike të Pekinit, Benz ishte pjesë e panelit të CAS-it që liroi patinatoren ruse Kamila Valieva për të garuar pavarësisht një hetimi të vazhdueshëm për një rast dopingu.

  • 1

    Radio