Çapuni: Kur Qeverisë nuk i ngutet të kthejë Valdanosin, as ne nuk kemi pse ngutemi për ti kthyer tokën shtetit
Prej tvteuta16:22, 4 Dhjetor 2018
Gjatë mbledhjes së djeshme të Kuvendit Komunal, pati një debat të ndezur në lidhje me inciativën e kryetarit të Komunës, Loro Nrekiq, për të propozuar si pikë të rendit të ditës kërkesën e Qeverisë së Malit të Zi që 252.000 metër katrorë mbi Valdanos ti kthehet asaj në pronësi pa asnjë kompensim. Për këtë nuk ishte dakord kryetari i Kuvendit Ilir Çapuni, i cili konsideroi se për këtë nuk ka nevojë të ketë ngutje, sidomos kur këshilltarët nuk janë aspak të njoftuar me materialin e duhur.
Nrekiq e arsyetoi propozimin me përmirsimin e gabimeve proceduriale gjatë regjistrimit në Kadastër dhe se këtu nuk ka asgjë shqetësuese. Çapuni për TV Teuta tha se pika eventualisht do të dalë në rend të ditës kur të respektohet procedura e duhur, e cila në këtë rast mungon plotësisht , dhe se nuk ka nevojë që Komuna të nxitojë ti kthejë pronën shtetit, kur Qeverisë në të njëjtën kohë nuk i ngutet aspak tu kthejë pronarëve Valdanosin.