Sociale Më shumë

Camaj: Jemi mirënjohës për ndihmën. Tuzi tani ndër qytetet më të pastra në vend

Prej tvteuta09:44, 14 Tetor 2020

Komuna e Tuzit javët e fundit është përballur me problemin e grumbullimit të mbeturinave, kjo si pasojë thonë ata e neglizhencës dhe qëndrimit aspak korrekt të administratës së Podgoricës. Në media për këtë çështje pati edhe përplasje në mes kryetarit të Tuzit Nik Gjeloshaj dhe atij të Podgoricës Ivan Vukoviq. Për të sqaruar sa më mirë situatën, TV Teuta kontaktoi drejtorin e ndërmarrjes “Komunale” në Tuz, Nikollë Camaj, i cili tha se zanafilla e problemit është në zvarritjen e ndarjes së pasurisë në mes dy komunave, si dhe qëndrimin jokorrekt të Podgoricës ndaj Tuzit, kur bëhet fjalë për shërbimet komunale.

Përveç grumbullimit të mbeturinave, problem ishte edhe deponimi i tyre, pasi Deponija e kryeqytetit, edhe pse ishte në territor të Tuzit, refuzonte këta të fundit të hidhin aty mbeturinat.

E gjithë kjo situatë thotë Camaj, u zgjidh falë ndihmës së ndërmarrjeve simotra nga qytetet e tjera, ku ndër të parat që erdhi në ndihmë ishte ajo e Ulqinit.

Ndihma nga qytetet e tjera është e mirëseradhur, por në Komunën e Tuzit e kanë të qartë se kjo situatë nuk mund të vahdojë gjatë, dhe se duhet përgatitur për daljen nga kjo gjendje  me forca të veta.

Komuna e Tuzit është më e reja në Mal të Zi dhe në proces është themelimi i ndërmarrjeve lokale. Camaj thotë se për këtë po punohet vazhdimisht pa marrë parasysh pengesat që u dalin përpara.

Ndarja e pasurisë së përbashkët në mes Podgoricës dhe Tuzit, duket se nuk do të jetë proces i lehtë, sidomos duke pasur parasysh se në Mal të Zi zvarriten edhe procese më të lehta se ky në fjalë. Sidoqoftë, nga fillimet por edhe nga fjalët e zyrtarëve më të lartë të Tuzit, duket se ata janë të vendosur që të mos pranojnë rolin e viktimës , dhe për këtë duket se kanë edhe përkrahjen e qytetarëve.

  • 1

    Radio