Opinion Më shumë

Besnik Mustafaj: E diela e bekueme për shqiptarët e Tuzit

Prej tvteuta15:07, 28 Shkurt 2019

Besnik-Mustafaj-738x450

BESNIK MUSTAFAJ Të dielën e ardhshme, më 3 mars, në Tuz zhvillohen zgjedhjet për drejtimin e komunës. Krijimi i kësaj komune vjeshtën e kaluar shënon kurorëzimin e një përpjekjeje shumë të gjatë, veçanërisht të banorëve shqiptarë të saj dhe të përfaqësuesve politikë në përgjithësi të shqiptarëve të Malit të Zi, por të mbështetur fuqimisht edhe nga diaspora. Për hir të së vërtetës, kjo përpjekje është mbështetur diplomatikisht fort edhe nga qeveritë e Tiranës, njëra pas tjetrës. Më kujtohet një takim informal me drejtuesit e të gjitha partive politike shqiptare gjatë fushatës për referendumin për pavarësinë. Unë isha ministër i Jashtëm dhe shkova një të diel. Zgjodha për këtë takim pikërisht Tuzin, sepse Tuzi ishte shkaku pse një pjesë e mirë e këtyre partive nuk i ishin bashkuar koalicionit të madh multietnik në mbështetje të pavarësisë së Malit të Zi. Tuzi ishte pjesë e komunës së Podgoricës dhe pushteti qendror i Gjukanoviçit e kishte shumë të rëndësishme për të ruajtur qeverisjen e kryeqytetit në duart e forcave politike sovraniste, jashtë ndikimit të Serbisë.

Ndër të gjitha bashkësitë etnike, banorë të territorit të komunës së sotme të Tuzit, shqiptarët ishin më këmbëngulësit për ta nxjerrë Tuzin më vete, jashtë suazës së komunës së Podgoricës. Përveç të tjerash, edhe për arsyen se më vete ata ishin shumicë dhe kështu do të mund të ndikonin që pushteti vendor të përcaktonte politika zhvillimore në mos favorizuese, të paktën jo diskriminuese për shqiptarët, siç kishte ndodhur gjithnjë. Arsyetimi i tyre ishte plotësisht i drejtë. Taktikisht, ata e kishin kuptuar se referendumi ishte një moment kur mund ta detyronin Gjukanoviçin t’ua realizonte këtë aspiratë. Kemi biseduar më shumë se tri orë hapur, me sinqeritet vëllazëror, pa kamera. Asnjë lajm nuk është botuar ndonjëherë për këtë takim, edhe pse pjesëmarrësit janë fatmirësisht të gjithë gjallë. Meraku im ishte që shqiptarët e Malësisë të mos krijonin keqkuptimin e dëmshëm se po mbështesnin rrymën pro qëndrimit të vendit me Serbinë. Po atë ditë kam pasur një takim gjithashtu pa protokoll edhe me Presidentin Gjukanoviç, ku ia kam shprehur me këmbëngulje pikëpamjen e qeverisë shqiptare. Edhe pse ishte e diel, Presidenti Gjukanoviç doli në zyrë për t’u takuar me mua dhe më kushtoi një kohë të gjatë. Tema e bisedës ishte e gjitha lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi dhe me theks të veçantë kërkesa e tyre e drejtë për ta bërë Tuzin komunë më vete. Me mirëkuptim, as zyra e Presidentit Gjukanoviç dhe as zyra ime nuk shpërndamë ndonjë lajm apo fotografi për mediat. Sepse qëllimi im nuk ishte buja për ta parë opinioni publik sa shumë punoja për çështjen kombëtare, edhe të dielën, siç bëjnë sot në përgjithësi udhëheqësit tanë. Isha dhe jam i bindur se buja vetëm do dëmtonte realizimin e aspiratës së shqiptarëve të Malësisë për ta pasur Tuzin komunë më vete.

Jam gëzuar shumë vjeshtën e kaluar, kur hyri në fuqi ligji, i cili i jepte Tuzit statusin e plotë të komunës. Ky gëzim më është shtuar në janar, kur mora vesh për marrëveshjen e tri partive kryesore shqiptare, Aleancës Shqiptare (ASH), Lidhjes Demokratike Shqiptare (LDSH) dhe Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH), për të ndërtuar së bashku koalicionin parazgjedhor “Forumi shqiptar” me sloganin “Malësia na bashkon”. Ishte për t’u përshëndetur me gjithë zemër e mendje. Udhëheqësit shqiptarë atje kishin kuptuar se vërtet bashkimi bën fuqinë. Megjithëse shqiptarët janë shumicë në këtë komunë, dalja të përçarë në zgjedhje do t’ua hiqte çdo mundësi për ta fituar drejtimin e komunës. Ndërsa lista e përbashkët, siç do të paraqiten më 3 mars, përbën të vetmen rrugë të mundshme për ta fituar kryetarin e komunës. Ky është një hap i madh përpara, që tregon pjekurinë politike të udhëheqësve të partive shqiptare atje. Por ende nuk është gjithçka. Fitorja do të arrihet vetëm me një zgjim e mobilizim të gjerë dhe entuziast të të gjithë zgjedhësve shqiptarë të kësaj komune. Ndërgjegjja kombëtare dhe qytetare nuk duhet ta lejojë asnjërin të qëndrojë në shtëpi të dielën e 3 marsit. Në këtë fazë përmbyllëse, kjo është një sfidë shumë e vështirë e që mund ta fitojnë vetëm ata. Partia Demokratike e Socialistëve të Malit të Zi, partia e Gjukanoviçit në pushtet, po bën dhe do të vazhdojë të bëjë deri në çastin e fundit gjithçka, duke përdorur mënyra dhe mjete të ligjshme e të paligjshme për t’ua rrëmbyer fitoren. Shqiptarët atje i ndjejnë dhe i shohin përditë joshjet dhe presionet. Por unë kam shpresë të madhe se ata nuk do të thyhen as nga joshjet e as nga presionet. Malësorët e Tuzit janë ngritur gjithmonë përmbi dallimet krahinore dhe fetare për t’u bashkuar në emër të interesit të lartë kombëtar. Edhe i madhi Gjergj Fishta e ka himnizuar burrërinë dhe krenarinë e tyre si shqiptarë.

Këto ditë kam shkëmbyer shumë mesazhe me miq të mi, shqiptarë të kësaj krahine, me banim në SHBA. Kam ndarë me ta shqetësimin tim modest lidhur me përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në këtë fushatë historike në vendlindjen e tyre. Kam vënë re me kënaqësi të madhe se ata mendjen dhe zemrën e kanë këto ditë në Tuz, si kurrë më parë. Kjo ma shton shpresën për fitore. Nuk është kërkesë e tepërt në këtë rast që shumë prej tyre, sa më shumë, të marrin rrugën për t’u gjendur në Tuz të dielën. Vota e tyre edhe individuale është provë e dashurisë së tyre të ndershme për vendlindjen. Dashurisë së vërtetë për atdheun nuk i mjaftojnë fjalët. Kështu na ka mësuar Ded Gjo Luli. Duhet të shprehet me vepra kjo dashuri. E kanë bërë para pak vitesh shqiptarët e Komunës së Kërçovës në Maqedoninë e Veriut, kur u bë ndarja e re territoriale. Pa votën e diasporës nuk do të ishte fituar dot nga shqiptarët kryetari i Komunës së Kërçovës. Ky është një shembull i madh i vetëdijes kombëtare, që besoj se do të ndiqet edhe nga malësorët në Amerikë e kudo janë nëpër botë. Nderi dhe lavdia fitohen në beteja e jo pas betejës.

  • 1

    Radio