Opinion Më shumë

Bernard Cobaj: Përplasja e qytetërimeve në vështrimin e Eduard Saidit

Prej tvteuta17:00, 26 Mars 2022

Shkruan: Bernard Çobaj

Shkrimi me titull Përplasja e qytetërimeve? për herë të parë u shfaq në vitin 1993, në revistën Foreign Affairs (pra, kishte një pikëpyetje) dhe në fjalinë e parë paralajmëroi se politika botërore po hynte në një fazë të re. Katër vite më vonë Hantingtoni (Samuel P. Hantington) e zgjeroi esenë në një libër pa pikëpyetje. Libri i ri u botua në vitin 1997, me titull “Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror” (The Clash of Civilizations and the Remaking of World Order).
Hantingtoni sugjeron se konfliktet botërore ndërmjet kampeve ideologjike do të shndërrohen në konflikte ndërmjet qytetërimeve të ndryshme dhe në hamendje të përplasura.
Aspekti kulturor do të jetë burimi dominues i konfliktit dhe ndasive të mëdha të njerëzimit. Përplasja e qytetërimeve do të mbizotërojë politikën globale – shprehet Hantingtoni.
Më vonë ai shpjegon se përplasja kryesore do jetë mes qytetërimit perëndimor dhe joperëndimor, duke diskutuar mosmarrëveshjet potenciale apo aktuale, midis asaj që ai e quan Perëndim, nga njëra anë, dhe Qytetërimeve islame dhe konfuçiane, nga ana tjetër. Islamit i kushton shumë më tepër vëmendje, vëmendje armiqësore sesa çdo qytetërimi tjetër përfshirë këtu edhe Perëndimin. Buja që bëri shkrimi i tij kishte të bëjë më tepër me rrafshin kohor kur u paraqit sesa me ekskluzivitetin e përmbajtjes.
Opusi letrar i Amin Malufit, për të cilin shkruam në Universin malufian, mund të trajtohet si antitezë e teorisë së parashtruar nga Hantingtoni. Teoria ka pësuar shumë vështrime kritike, sidomos nga pena e Eduard Saidit. Në vazhdim do të paraqesim aspektet kryesore të qasjes së Saidit ndaj tezës së Hantingtonit.
Nga fundi i Luftës së Ftohtë ekzistuan disa pretendime intelektuale e politike për të shpjeguar situatën e re botërore në zhvillim, përfshirë këtu tezën e fundit të historisë (The end of history) të Fransis Fukujamës (Frances Fukuyama) dhe të administratës së Bushit lidhur me Rendin e ri botëror.
Thelbi i vizionit të Hantingtonit, i cili nuk është autentik, mbështetet mbi idenë e një përplasjeje të pandërprerë që do të zë vend në hapësirën politike të zbrazur nga lufta e ideve dhe vlerave të mishëruara në Luftën e Ftohtë, i së cilës Hantingtoni ishte një teoricien i madh. Në këtë ngjyrosje të botës, Perëndimi është pika kryesore kurse Islami dhe Konfuçianizmi po luftojnë për epërsi dhe madje dominim mbi Perëndimin.
Prandaj, në mënyrë të pritur, Hantingtoni e përfundon esenë por edhe librin e tij, me një shqyrtim se çfarë duhet të bëjë Perëndimi për të mbetur i fortë dhe t’i mbajë kundërshtarët e tij të dobët dhe të ndarë.
Perëndimi duhet të shfrytëzojë dallimet dhe konfliktet midis shteteve konfuçiane dhe islamike për të mbështetur në qytetërime të tjera grupe dashamirëse ndaj vlerave dhe interesave perëndimore. Për t’i forcuar institucionet ndërkombëtare që pasqyrojnë dhe legjitimojnë interesat dhe vlerat perëndimore dhe për të promovuar përfshirjen e shteteve joperëndimore në ato institucione – thotë Hantingtoni.
Ky është një qëndrim shumë ndërhyrës dhe mjaft agresiv ndaj qytetërimeve të tjera për t’i bërë ato të jenë më perëndimore. Kaq i fortë dhe këmbëngulës është nocioni i Hantingtonit se qytetërimet e tjera domosdoshmërisht përplasen me Perëndimin dhe receta e tij për atë që Perëndimi duhet të bëjë për të vazhduar të fitojë është shumë agresive, kështu që lexuesi detyrohet të arrijë në përfundim se ai është me të vërtetë më i interesuar për të vazhduar dhe zgjeruar Luftën e Ftohtë me mjete të tjera, në vend të avancimit të ideve që mund të na ndihmojnë të kuptojmë skenën aktuale botërore ose idetë që do të përpiqeshin të ishin pajtuese midis kulturave.
Jo vetëm që konflikti do të vazhdojë, por thotë ai, konflikti mes qytetërimeve do të jetë faza më e fundit në evoluimin e konfliktit në botën moderne.
Por ndoshta për shkak se Hantingtoni është më i interesuar për recetat e politikave sesa për historinë ose analizën e kujdesshme të kulturave, vëren Saidi, Hantingtoni është mjaft mashtrues në atë që thotë dhe në mënyrën se si i vendos gjërat. Një pjesë e madhe e argumentit të tij, para së gjithash, varet nga opinioni i dorës së dytë dhe të tretë, i cili i zhvlerëson përparimet e mëdha në kuptimin tonë konkret dhe kuptimin teorik të mënyrës se si funksionojnë kulturat. Si ndryshojnë ato dhe si mund të kuptohen ose kapen më së miri.
Një vështrim i shkurtër mbi njerëzit dhe opinionet që ai citon, sugjeron se gazetaria dhe demagogjia popullore janë burimet e tij kryesore dhe jo studimet apo teoritë serioze. Kur argumentimin e ndërton nga publicistët dhe studiuesit tendenciozë, atëherë e paragjykon argumentin në favor të konfliktit dhe polemikave sesa në favor të mirëkuptimit të vërtetë dhe llojit të bashkëpunimit midis popujve për të cilin planeti ynë ka nevojë.
Autoritetet e Hantingtonit nuk janë vetë kulturat, por një grusht i vogël autoritetesh të zgjedhura prej tij. Titulli i librit të tij “Përplasja e qytetërimeve” është fraza e Bernard Luisit (Bernard Lewis) nga eseja me titull Rrënjët e zemërimit mysliman (The Roots of Muslim Rage), i cili u shfaq në vitin 1990.
Por pak njerëz sot, me mendje të shëndoshë, do të dëshironin të përqafonin karakterizime të tilla gjithëpërfshirëse si ato të Luisit mbi rreth një miliard myslimanë të shpërndarë nëpër pesë kontinente, dhjetëra gjuhë të ndryshme dhe tradita e histori. Luisi, për të gjithë ato, shprehet se janë të zemëruar me modernitetin perëndimor. Sikur një miliard njerëz të ishin në të vërtetë vetëm një person dhe qytetërimi perëndimor të ishte një çështje madje më pak e ndërlikuar sesa një fjali e thjeshtë declarative.
Hantingtoni ka marrë nga Luisi nocionin se qytetërimet janë monolite dhe homogjene, dhe supozon pandryshueshmërinë e karakterit të dualizmit mes koncepteve ne dhe ata. Sikur Luisi, Hantingtoni po ashtu e përkufizon qytetërimin islam në mënyrë të ngushtë, sikur ajo që ka më shumë rëndësi është orientimi i supozuar antiperëndimor i qytetërimit islam. Hantingtoni nxit ndjesinë se myslimanët nuk bëjnë gjë tjetër përveçse mendojnë se si të shkatërrojnë Perëndimin. Luisi, nga ana tij, përpiqet të japë një sërë arsyesh për përkufizimin e tij se Islami kurrë nuk është modernizuar, që kurrë nuk ka bërë ndarjen e religjionit dhe shtetit, që është i paaftë të kuptojë qytetërimet tjera, të gjitha të pavërteta të plota. Arabët, myslimanët kanë udhëtuar shumë përpara evropianëve në Lindje, në Afrikë dhe Evropë dhe ishin zbulues të mëdhenj të qytetërimeve të tjera shumë përpara Marko Pollos dhe Kolombos. Por Hantingtoni nuk shqetësohet me asnjë nga këto.
Saidi shtron pyetjet: A është kjo mënyra më e mirë për të kuptuar botën në të cilën jetojmë? A është e dobishme të sajojmë një hartë të përthjeshtuar të botës dhe më pas t’ia dorëzojmë gjeneralëve dhe ligjvënësve civilë si një recetë për të kuptuar dhe më pas të vepruarit në botë? A nuk e zgjat kjo dhe si rezultat e thellon në fakt konfliktin? Çfarë bën ajo për të minimizuar konfliktin civilizues? A e duam ne përplasjen e qytetërimeve? A nuk i mobilizon kjo pasionet nacionaliste dhe rrjedhimisht nacionalizmin vrastar? A nuk duhet të bëjmë pyetjen, përse dikush po e bën këtë lloj gjëje? Për të kuptuar apo për të vepruar? Për t’i zbutur apo për t’i përkeqësuar gjasat e konfliktit? (vijon)

 

  • 1

    Radio