Aktuale Më shumë

BE kërkon nga Mali i Zi pezullimin e programit për nënshtetësi ekonomike

Prej tvteuta18:29, 23 Shkurt 2022

Delegacioni i Bashkimit Evropian  ka kërkuar nga Qeveria e Malit të Zi që të shfuqizojë sa më shpejt skemën e shtetësisë ekonomike. Në një letër dërguar Ministrit të Zhvillimit Jakov Milatoviq nga Shefja e Delegacionit të BE-së Kristina Oana Popa,  thuhet se u vjen keq për vendimin e qeverisë malazeze për të zgjatur programin edhe për një vit.

Në seancën elektronike të 30 dhjetorit të vitit të kaluar, qeveria vendosi të zgjasë për një vit programin e shtetësisë ekonomike, gjegjësisht lëshimin e pasaportave malazeze në këmbim të investimit në disa nga projektet zhvillimore në fushën e turizmit, industrisë përpunuese dhe bujqësisë.

Popa në letër rikujton se BE-ja vazhdimisht e këshillonte Malin e Zi që të shqyrtonte pezullimin e atij programi dhe se kjo ishte theksuar në raportin vjetor të Komisionit Evropian, me rekomandim që programi të ndërpritet sa më shpejt. Në vitin 2019, Komisioni Evropian vlerësoi se skemat përmes të cilave është marrë shtetësia kualifikohen si rrezik sigurie për shkak të infiltrimit të mundshëm të krimit të organizuar, pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsionit. Raporti i KE-së thekson gjithashtu se skema të tilla në vendet jashtë BE-së që kanë një regjim pa viza me BE-në (si Mali i Zi) mund të përdoren për të anashkaluar procedurën e qëndrimeve më të shkurtra në BE përmes vizave. Në fund të letrës, Popa përsërit thirrjen që Mali i Zi të pezullojë sa më shpejt programin e shtetësisë ekonomike dhe bën thirrje për transparencë të plotë kur bëhet fjalë për të huajt që tashmë kanë marrë nënshtetësinë sipas atij programi.

  • 1

    Radio