Bashkohen partitë shqiptare në Maqedoni?
Prej tvteuta7 January 2017
Sot në Shkup, për herë të parë të gjitha formacionet politike shqiptare do të dalin me një deklaratë të përbashkët, ku do të radhisin kërkesat e tyre. Shpesh të kritikuar për mungesën e një kori të njëjtë sa herë ka zgjedhje në Maqedoni, dy partitë kryesore shqiptare BDI dhe PDSH asnjëherë nuk mundën të kapërcenin ndasitë dhe mëritë personale të lidershipit për t’u bashkuar në një koalicion.
Por duket se nga dita e sotme kjo do të ndryshojë. Top Channel ka mësuar nga burime të larta diplomatike dhe politike shqiptare se të shtunën në Shkup tre partitë kryesore, BDI, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët do të deklarojnë frontin e tyre unik politik dhe kërkesat e përbashkëta si kusht për bërjen e qeverisë së ardhshme maqedonase. Në ditët e para pas zgjedhjeve u duk se bashkimi i shqiptarëve ishte sërish i pamundur, pasi dy parti, BDI dhe Besa thuajse përjashtonin çdo mundësi kontakti me njëra-tjetrën. Por përfshirja e Tiranës zyrtare ka qënë thuajse intensive dhe e paprecedentë. Kryeministri Rama dhe minsitri i Jashtëm Bushati u përfshinë personalisht, publikisht dhe prapa kuintave për bashkimin e këtyre elementëve thuajse përjashtues politikë ndaj njëri-tjetrit.Pas një turi në Tiranë, por edhe në Prishtinë, duket se u arrit e pamendueshmja. Shqiptarët e Maqedonisë të shtunën do të dalin me deklaratën e përbashkët, ku do të parashtrojnë kushtet për çdo kabinet të mundshëm qeveritar në Shkup.