Aktuale Më shumë

Banorët e Goranës së Madhe përsëri në protestë. Kërkojnë ndihmën e Abazoviq

Prej tvteuta16:57, 25 Janar 2022

As pas disa tentativave disamujore për të ndaluar shfrytëzimin e gurit në afërsi të fshatit Gorana e Madhe, i cili ndodhet në mes komunës së Ulqinit dhe Tivarit, protestat e banorëve nuk sollën rezultate. Edhe pse u mbështetën nga vetëqeverisja lokale, koncesionari, kompania nga Tivari “Trojan” nisi kërkimet pranë këtij fshati, gjë që u jep vendasve arsye të mjaftueshme për të besuar se synimi i koncesionarit do të realizohet. Kësaj radhe ata u shprehën më të ashpër në dënimin e zyrtarëve shtetërorë, konkretisht zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq, për të cilin kishin shpresë se ishte luftëtar për një mjedis të shëndetshëm.

“Njëmbëdhjetë gurore janë planifikuar në komunën e Tivarit dhe dy të tjera në atë të Ulqinit. Duan të na shkatërrojnë kodrat duke u thirrur në interesin publik të qytetarëve, e që është padyshim interes i individëve. Për këtë ndjej nevojën të ftoj zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq që të kthejë kokën drejt Goranës së Madhe, Merkotit, Tivarit dhe Ulqinit. Ti je fëmijë i Tivarit dhe Ulqinit, na e ktheve besimin dhe shpresën dhe na tregove si të luftojmë për të drejtat tona dhe natyrën tonë, vendi yt është këtu me ne, më shumë se kushdo”, tha Edina Osmanoviq, banore e këtij fshati.

Sipas fjalëve të banorit tjetër, Sabri Kovaçeviq, sipërfaqja që duhet të mbulojë gurorja është rreth 260 mijë metra katrorë dhe siç pohon ai, shtëpia e parë është vetëm njëqind metra distancë ajrore nga vendi ku duhet të fillojë shfrytëzimi i gurit. Siç kanë  mësuar, synimi i koncesionarit është që të rrethojë rrugën e vjetër nga Gorana deri te magjistralen aktuale, të cilën e kanë përdorur prej qindra vitesh.

“Në fakt ne nuk e kemi atë rrugë tani, ai thotë se do ta bëjë për siguri, për shkk të minimit, doshta për këtë ka të drejtë, por shteti që e ka lejuar këtë nuk është i drejtë. Duhet të na kishin kontaktuar, askush nuk na pyeti për asgjë”, thotë Kovaçeviq.

Kujtojmë se kompania e lokale “Trojan” ishte e vetmja që paraqiti ofertën për dhënien e koncesionit për kërkime të detajuara gjeologjike dhe shfrytëzim të lëndëve të para minerale për gurin tekniko-ndërtimor në kantierin Gorana e Madhe. Sipas planit, ofertuesi parashikon investime që do të realizohen në dy vitet e para të kontratës, në vlerën 491.700 euro, ndërsa të ashtuquajturat investime të mëparshme, të cilat do të përdoren për shfrytëzim, arrijnë në 1.09 milionë euro.

  • 1

    Radio