Asociacioni, pa parakushte! Borrell ‘ultimatum’ Kosovës, të nisë puna
Prej tvteuta12:33, 19 Shtator 2023

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku evropian kërkon që Kosova dhe Serbia “pa vonesa” të nisin zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. “Ajo se çfarë duam dhe kërkojmë është nisja e zbatimit bazuar në propozimin tonë, pa vonesa të mëtejme, dhe kjo përfshin edhe obligimin për të dyja palët që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura më herët në dialog”, tha Borrell. Ai këto komente i bëri gjatë një konference për shtyp pas takimit joformal në Nju Jork me ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian.
Në këtë takim ai ka informuar ministrat për rundin e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që përfundojë pa ndonjë rezultat. “Ata shprehën shqetësim me mungesën e zbatimit të angazhimeve të marra përsipër nga palët për sa i përket Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Normalizimi është proces, është rrugë dhe është zbatim”, theksoi Borrell.
Për Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin për zbatimin e saj, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord më herët gjatë këtij viti. Por, blloku evropian ka thënë se marrëveshja nuk ka nisur të zbatohet.