Opinion Më shumë

Ana e Malit së shpejti me park publik

Prej tvteuta17:25, 12 Mars 2019

Atë që nuk arriti  ta bëjë ndër vite pushtetari, po e bën familja Hajdari.   

 Gjekë Gjonaj

Jemi dëshmitarë se  në qytetin e Ulqinit  ka hapësira të vogla publike të gjelbëruara, kurse nëpër lagje e  zona rurale pothuaj s’ka fare. E themi me keqardhje se shumica e hapësirave publike në territorin e kësaj  komunë janë lënë pas dore dhe janë ende deponi ilegale të cilat presin investime, që ato të shndërrohen  në hapësira të gjelbëruara dhe terrene të përshtatshme si për fëmijët , ashtu edhe për të moshuarit.  Mungon gjelbërimi.  Mungojnë lulet. Mungojnë parqet… Të gjithë dëshirojmë t’i kemi ato, por mungon kujdesi.  Për momentin m’u kujtua  thënia indiane “ Dikur njeriu është frikësuar nga natyra, ndërsa sot natyra frikësohet nga njeriu” .  

Mjedisi  do të duhej të jetë  themeli bazë i zhvillimit të qëndrueshëm, paqes dhe sigurisë  edhe për Komunën e Ulqinit. Veç kësaj  mjedisi do të duhej të jetë një  prioritet shumë i rëndësishëm i punës së përditshme të saj. Mbase  hapësira e mirë publike e qytetëron qytetin. Sjell ngjyra. Dritë dhe gëzim në jetën e përditshme. Rrit shëndetin qytetar, po ashtu.  Megjithatë, përpjekjet e deritashme të pushtetarëve  për të parandaluar krimin mjedisor, e mbi të gjitha për ta mbrojtur atë  nga hedhja e paligjshme e mbetjeve urbane dhe jo urbane, nga keq menaxhimi i mbetjeve të rrezikshme industriale etj. , kanë qenë dhe mbeten të jenë   të pamjaftueshme. Për këtë arsye  në të ardhmen duhet punuar më shumë për një qeverisje më të mirë mjedisore, duke synuar zhvillim të qëndrueshëm  dhe standard mjedisor, sidomos për brezat  që vijnë. Për pasojë të mos angazhimit të duhur,  në radhë të parë të  institucioneve  përkatëse  në nivel vendor,  Ulqini edhe në mileniumin e tretë vazhdon të jetë  ndër qytetet e rralla i cili nuk ka asnjë park publik, ku qytetarët mund të pushojnë e argëtohen. Një shoqëri e qytetëruar varet nga hapësirat e mira publike. Prandaj duhet t’i mbrojmë dhe të kujdesemi për to.

Atë që nuk arriti  ta bëjë ndër vite pushtetari, po e bën familja Hajdari. Kjo familje ( Xhevdet  dhe Margaret Keane-Hajdari), e cila jeton dhe vepron në Shtete të Bashkuara të Amerikës, ka vendosur që me mjete të veta financiare , në truallin e dhuruar nga komuna, të ndërtojë parkun publik me një  sipërfaqe prej 6685 metër katrorë  në Anë të Malit  (Kosiq të Poshtëm), në shumë prej 212.000$.  Është kjo dhurata më e çmuar e familjes Hajdari që i ka dhënë   vendlindjes së vet. Ky kontribut vullnetar financiar  i kësaj familjeje  të qytetëruar    këtë vend djerrë e të degraduar së shpejti do ta transformojë  në një mjedis  shumë të mrekullueshëm e  dinjitar    për komunën  e Ulqinit.  Punimet nga firma “ Gencon” nga Ulqini   për ndërtimin e parkut  kanë filluar  që nga tetori i vitit të kaluar dhe ato, siç mësojmë nga koordinatori i këtij projekti Sabri Salaj, po vazhdojnë me ritëm dhe intensitet të parashikuar. Faza e parë e këtij projekti pritet të përfundojë në  javën e parë të muajit prill, respektivisht për Ditën e Komunës së Ulqinit.  Për disa muaj edhe Ulqini do të ketë  një park argëtues – publik  jashtëzakonisht të bukur  me të gjitha pjesët e tij përbërëse,  si një shembull nga qytetet evropiane.

Parku në fjalë  paraqet një potencial të madh për krijimin e një vepre ku qytetarët mund të jetojnë në harmoni me natyrën. Ai është projektuar me mjaft kujdes  nga studioja e projektimit “V&B Studio Design” për përmbushjen e nevojave funksionale të qytetarëve. Gjithashtu pamja e tij do të jetë tepër tërheqëse. Qëllimi i tij është funksionalizimi i hapësirës publike , krijimi i hapësirave rekreative e cila do ta bëjë këtë zonë  edhe më të bukur. Më  atraktive. Më të njohur. Më joshëse dhe më të sigurt , nga se  kjo hapësirë  si dhe shumë të tjera ka qenë e pa trajtuar më parë.

Ky lokalitet, me finalizimin e këtij projekti, do të jetë krejt ndryshe  nga sa është sot dhe njëkohësisht do të shërbejë edhe për promovimin e turizmit malor. Me rëndësi është që, duke  qenë parku i parë publik   në Ulqin,  të jetë në mbikëqyrje të përhershme në mirëmbajtje, në ruajte dhe gjithashtu edhe në siguri. Vetëm si i tillë ky park do të shërbejë si vendtakim  i miqve  dhe i të panjohurve , të grupmoshave të ndryshme.  Vend ku do të shkosh me miqtë për piknik. Të  admirosh lulëzimin e pranverës,. Të  luash me top. Të ulesh e të kalosh kohë vetëm me mendimet e tua. Të takosh të panjohur. Të kënaqesh me fëmijë, mbesa e nipa,  apo të rikujtosh  gjënë shpesh të harruar – lidhjen  tonë me natyrën.

  • 1

    Radio