Ambasadori Durmishi pershendet koalicionin e subjekteve shqiptare ne Tuz
Prej tvteuta10:04, 1 Shkurt 2019
Partitë politike shqiptare në Tuz, ASH, LDSH dhe UDSH, duke u pajtuar që të dalin me një listë të përbashkët në zgjedhjet lokale të datës 3 mars , kanë bërë veprimin e duhur. Ishte veprimi denjë për respekt e për tu përshëndetur për faktin kryesor se është pikërisht formalizim i vullnetit të qytetarëve dhe elektoratit të tyre në Malësi.
Koalicioni ishte lajm i mirë, i mirëpritur dhe i shumëpritur nga ana e tyre. Kjo është vërejtur edhe nga urimet e shumta në adresën e tyre. Me këtë veprim u demostrua pjekuria politike e këtyre subjekteve politike, përcaktimi që të koncentrohen të gjitha energjitë në një pikë të përbashkët që është maksimizimi i potencialit të votës dhe vullnetit elektoral.
Koalicioni nuk është qëllim por mjet, është hap dhe veprim në procesin e realizmit të qëllimit madhor që është qeverisja e mirë e komunës, si parakusht për zhvillim, shfrytezimin racional te potencialeve, për ndërtimin e jetës më të mirë e prosperuese të votuesëve të tyre dhe të gjithë banorëve të Tuzit dhe Malësisë.
Duke vepruar përtej interesave fragmentare e parciale, liderët që nënshkruan këtë marrëveshje dëshmuan pjekuri e përgjegjësi të lartë e cila do të shpërblehet me besimin e qytetarëve.
Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës ju përcjell urimet më të sinqerta dhe përgëzime për veprimin e duhur në kohën e duhur. Suksese.
Me konsiderata të veçanta,
Skender Durmishi, Ambasador i Republikës së Kosovës në Mal të Zi