Akuza ndaj Lëvizjes URA për manipulime
Prej tvteuta10:11, 28 Korrik 2017
Në seancën e djeshme tejet interesante të Kuvendit Komunal, këshilltari i URA-s dhe njëherësh kryetari i saj Dritan Abazoviq, tha se kjo parti gjatë qëndrimit dyvjeçar në pushtet ndoshta nuk ka bërë shumë, por ka arritur të përpilojë Planin strategjik të komunës, planin e Parking Servisit si dhe mbrojtjen ligjore të çështjes K1.
Kjo ngjalli reagimin e këshilltarit të Forcës Adrian Mavriq i cili tha se meritor për Planin Srategjik ishte sekretari i athershëm Valdet Axhemoviq, kurse sa i përket parking Servisit, Mavriq rikujtoi se ai kishte qenë nga këshilltarët që ka votuar kundër këtij servisi, pasi rruga ku jeton menaxheri i atëhershëm i komunës, zyrtari i URA-s Omer Bajraktari në Mal të Bardhë, i cili ishte edhe njëri nga përpunuesit e këtij plani, nuk ishte e paraparë me pagesë, kurse rrugët e tjera po. Sipas tij, është e çuditëshme që nga rrugët e qytetit, pikërisht ajo rrugë ishte planifikuar të jetë pa pagesë. Sa i përket rastit K1, Mavriq tha se mbrojtësi i kësaj çështje si sekretar për mbrojtjen e pasurisë ishte Gzim Haxhibeti, kurse avokatët që u angazhuan më vonë kushtuan 30.000 euro dhe e gjithë që bënë është të shtyjnë çështjen për dy vjet. Mavriq shprehu besimin se kjo çështje do të mbyllet në favor të Ulqinit, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të duhet të paguhen interesat edhe për ato dy vjet, prandaj marrjen e meritave për këtë çështje i quajti të pavend dhe të parakohëshme.