Aksion kundër deponive të egra
Prej tvteuta16:24, 22 Dhjetor 2016
Ndërmarrja publike “Veprimtaritë komunale” në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit organizuan sot aksionin e pastrimit të mbeturinave përgjatë rrugës së Kripores. Drejtori i sapoemruar i kësaj ndërmarrjeje Skender Kaleziq, tha për televizionin Teuta se deponitë e egra në disa pjesë të Ulqinit paraqesin problem serioz , dhe kjo ndërmarrje do të bëjë maksimumin në eliminimin e tyre.
Nënkryetarja e Komunës Hatixhe Gjoni, tha se ky aksion është i pari, por në të ardhmen do të ndrëmirren edhe të tjerë me qëllim që të përmirsohet situata në këtë drejtim. Shefi i policisë komunale Saubih Mehmeti, konfirmoi se ndaj personave juridik ka pasur edhe dënime gjatë vitit të kaluar për krijim të deponive të egra, por jo edhe ndaj atyre fizik, pasi këto të fundit hedhjen e tyre zakonisht e bëjnë në orët e natës , kur është e vështirë të evidentohen nga policia. Deponitë e egra në territorin e Ulqinit përbëjnë tashnë një fenomen, sidomos në zonat në periferi të qytetit dhe përgjatë Plazhit të Madh. Megjithë punën e organeve kompetente, ky problem vështirë të zgjidhet pa ndërgjegjsimin e qytetarëve dhe marrjen e masave të rrepta ndaj atyre që i hedhin mbeturinat vend e pa vend.