Ada e Bunës: Pronarët dhe turistët ankohen për zhurmë. Policinë Komunale e akuzojnë për mosveprim
Prej tvteuta17:44, 28 Gusht 2023
Një numër i madh i pronarëve të shtëpizave dhe vizitorëve në Adën e Bunës, gjatë gjithë verës po përballen me problemin e mosrespektimit të qetësisë në këtë zonë. Ata ankohen se zhurma dhe muzika deri në orët e para të mëngjesit, kanë ndikuar që të anulohen rezervimet dhe turistët të largohen.
Objekti për të cilin ankohen më shumë është “Klandestino”, i cili nga shoqata “Me zemër për Adën”, thonë se i përket kumbarit të kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Kuvendi i Komunës së Ulqinit para tri viteve ka miratuar Vendimin për Zonat akustike, sipas të cilit Ada e Bunës është vendosur në kategorinë “Zonat e qeta në natyrë”, që nënkupton ndalimin e muzikës me zë të lartë, sidomos në orët e vona të natës.
Nga shoqata ankohen se Komunës nuk i intereson respektimi i këtij vendimi, çka sipas tyre e tregon qëndrimi neglizhent i Policisë Komunale. Ata thonë se kjo polici nuk u përgjigjet thirrjeve për tejkalimin e zhurmës nga objekti në fjalë. Në grupin Viber, që mbledh rreth 500 pronarë të shtëpive dhe lokaleve në këtë zonë, thuajse çdo ditë mund të lexohen komente për muzikën e fortë që vazhdon edhe pas orës katër të mëngjesit.
Nga shoqata “Me zemër për Adën” bëjnë apel tek institucionet komunale, duke u nisur nga kryetari i Komunës, Policia Komunale e deri tek kryeministri Abazoviq, që të ndikojnë për të ndaluar prishjen e rendit dhe qetësisë në një prej perlave më të mëdha ekologjike dhe turistike, jo vetëm të Malit të Zi, por edhe të gjithë Evropës.