Abazoviq takohet me përfaqësuesit e kompanisë Royal. “Një hap më afër” hotelit Jadran?
Prej tvteuta14 December 2022

Kryeministri në detyrë Dritan Abazoviq ka mbajtur dje një takim me përfaqësuesit e kompanisë Royal, të cilët janë të interesuar për të investuar në Ulqin, konkretisht në ndërtimin e hotelit “Jadran”. Në takim morën pjesë edhe ministrja e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit Ana Novakoviq Gjuroviq, Ministri i Ekonomisë dhe Turizmit Goran Gjuroviq, sekretarët shtetërorë Agron Ibrahimi dhe Armend Milla, Kryetari i Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari, kryetari i NP “Të Mirat Detare” Mladen Mikijelj, dhe zyrtarë të tjerë. Gjatë takimit u evidentuan probleme administrative që duhen tejkaluar për të nënshkruar sa më shpejt aneksin e kontratës. Kryeministri Abazoviq theksoi se pas këtij takimi janë një hap më afër realizimit të një investimi tjetër që qytetarët e Ulqinit dhe Malit të Zi e kanë pritur me dekada, siç është hoteli luksoz “Jadran”, i cili do të kishte kategorizimin me 5* , dhe do të ndërtohej brenda një periudhe 5 vjeçare nga lidhja e kontratës.