Politikë Më shumë

Abazoviq për vizitë në Ulqin. Premton angazhim serioz në zgjidhjen e problemeve

Prej tvteuta18:54, 17 Dhjetor 2020

Zv.kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i shoqëruar nga ministri i financave Millojko Spajiq dhe ai i ekologjisë dhe planifikimit hapsinor, Ratko Mitroviq, qëndruan sot për vizitë në Ulqin. Fillimisht ata u takuan me zyrtarët më të lartë të Komunës, me të cillët diskutuan për problemet e qeverisjes lokale por edhe planifikimet për të ardhmen. Ulqini, tha Abazoviq, është qyteti me potencialet më të mëdha në vend, dhe qeveria e re do të punojë që qyteti ynë të mos jetë i diskriminuar si në të kaluarën.

Kryetari i Komunës Loro Nrekiq, nga ana e tij tha se zhvillimi i Ulqinit mund të arrihet vetëm me angazhimin e të gjithëve pa marrë parasysh qasjet politike, dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim edhe me qeverinë e re në këtë drejtim. Për problemet me të cilët përballet komuna, ai më shumë fajsoi qeverisjet e mëparshme lokale.

Më pas, delegacioni qeveritar vizitoi Kriporen e Ulqinit , ku Abazoviq siguroi se qeveria e re do ta zgjidhë shpejt çështjen e pronësisë, me çka do ti hapet rrugë edhe procesit të revitalizimit të kësaj zone dhe fillimit të prodhimit të kripës. Vizita vazhdoi në Adën e Bunës për tu njoftuar nga afër me problemin e erozionit të këtij ishulli, si dhe me hallet dhe kërkesat e qiramarrësve të objekteve të përkohëshme.

Abazoviq tha se shumica e këtyre kërkesave nuk janë aspak të vështira për tu realizuar. dhe u bëri  thirrje drejtuesve aktual të ndërmarrjes Të Mirat Detare, që seriozisht ti shqyrtojnë dhe ti zgjidhin këto kërkesa, në mënyrë që lumi Buna të jetë ashtu si e duam të gjithë, një oazë paqeje dhe diçka unike në Mal të Zi.

 Pikë tjetër e vizitës ishte ullishta e Valdanosit, kthimi i së cilës po zvarritet me pretekste të ndryshme tash sa e sa vite. Për ish pronarin Xhemal Haxhibeti, ekzistojnë dy mënyra për kthimin e saj, dhe po të ekzistojë vullneti i mirë, çdo gjë mund të zgjidhet në një kohë të shkurtër.

Ministri i ekologjisë, Ratko Mitroviq, tha se sa i përket aspektit ambientalist, për Valdanosin duhet të organizohet një tryezë e rrumbullakët për të gjetur zgjidhjen më të mirë, kurse ministri i financave Millojko Spajiq, tha se nuk dëshiron të paragjykojë se si do të jetë vendimi lidhur me kthimin e pronave, por siguroi se të drejtat e njeriut edhe në këtë rast duhet të jenë prioritare. Abazoviq nga ana e tij shtoi se kjo çështje është zvarritur së tepërmi dhe apeloi që në mënyrë legale, pronat tu kthehen ish pronarëve.

Sipas tij, Valdanosi asnjëherë nuk është kthyer në atë se për çka u nacionalizua, dhe duhet tu kthehet pronarëve pasi vetëm ata mund të kujdesën për këta ullinj ashtu si e meritojnë.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e Abazoviq në Ulqin , dhe problemet e diskutuara gjatë kësaj vizite, siç tha edhe ai vetë, janë vetëm ato më të rëndësishmit. Në të ardhmen vëmendje të merituar tha ai do të kenë problemet e tjera por edhe investimet kapitale.

 

  • 1

    Radio