Abazoviq: Millatoviq do të udhëheqë delegacionin e Malit të Zi në Nju Jork
Prej tvteuta15:30, 11 Shtator 2023
Mali i Zi nuk do të ketë dy delegacione në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por do të ketë një dhe do të kryesohet nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha kryeministri Dritan Abazoviq.
Millatoviq ishte regjistruar si kryesues i delegacionit, unë nuk mund të hyj në një debat me njerëz që nuk e kuptojnë se cilat janë autorizimet e tyre. Mendoj se në pikëpyetje është një keqkuptim. Nuk janë dy delegacione, por një, do të shkojmë në cilësinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme – tha ai në pyetjet e gazetarëve në Cetinë.
Ai shtoi se po vijnë 200 e më shumë delegacione dhe theksoi se është shumë i befasuar nga reagimi i zyrës së presidentit.
Është fitim për Malin e Zi që një njeri kryen dy funksione por nuk i merr dy rroga. Ekipi im është i njëjtë, nuk kam dy ekipe. Fakti që ne nuk kemi ministër të punëve të jashtme është vetëm një fitim për Malin e Zi. Plus ne tashmë kemi ambasadën. Ne i thërrasim njerëzit që tashmë janë atje në detyra pune – tha Abazoviq.
Ai theksoi se edhe vitin e kaluar është bërë bujë për rrugën drejt Nju Jorkut dhe tani apeloj që të mos bëhet e njëjta gjë.
Vitin e kaluar, ajo ngjarje në Nju Jork solli 30 milionë euro. Do të shohim se çfarë do të sjellë ky vit. Vendi duhet të përfaqësohet çdo vit në OKB, nuk e di pse e trajtojmë këtë në publik. Ngjarje të tilla planifikohen çdo vit, pavarësisht se kush është në pushtet. Gjithçka për kostot do të jetë transparente, unë drejtoj një delegacion prej katër personash. Pyesni presidentin se sa është delegacioni i tij dhe le t’jua paraqesë shpenzimet në mënyrë transparente, ashtu si qeveria – tha Abazoviq.
Ai ka deklaruar se kostot tashmë janë paraparë, pavarësisht se kush do të jetë në pushtet.
Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë le t’ju japë informacion se sa kushton dhe sa do të kushtojë. Nuk ka asnjë fshehtësi – theksoi ai.
Abazoviq tha se nuk ka mendim se Mali i Zi duhet të izolohet.