Aktuale Më shumë

Abazoviq-Escobar: Kënaqësi që zgjedhjet kaluan pa tensione

Prej tvteuta18:26, 22 Mars 2023

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka mbërritur sot në mëngjes në Departamentin e Shtetit ku është takuar të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Nga Qeveria më herët u njoftua se takimi me Escobar do të pasohet nga takime me kongresmenë dhe senatorë të shumtë në Capitol Hill.

“Takimet e Abazoviq me anëtarët e Kongresit përfaqësojnë një mundësi për të diskutuar për të ardhmen euroatlantike të rajonit, si dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit dhe aleancës me SHBA-të. Kjo pjesëmarrje do të konfirmojë përkushtimin e Malit të Zi për proceset dhe reformat e mëtejshme integruese, dhe përmirësimi i mëtejshëm i mirëkuptimit të ndërsjellë, i cili do të nxisë forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Abazoviq dhe Eskobar shprehën kënaqësinë që zgjedhjet presidenciale u mbajtjën sipas standardeve demokratike dhe pa tensione. Në takim u konstatua se Mali i Zi me rolin e tij proaktiv, kontribuon në mënyrë konstruktive në stabilizimin e kushteve rajonale dhe ruajtjen e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë drejtim, Abazoviq përshëndeti përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për realizimin e një marrëveshjeje të përhershme dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e arritur pas takimit të mbajtur në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. Abazoviq po ashtu theksoi se Mali i Zi është i gatshëm të kontribuojë në arritjen e një zgjidhjeje, e cila do të hapte një rrugë të sigurt për të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

  • 1

    Radio