Aktuale Më shumë

A mund diaspora të vendosë zgjedhjet? Numrat favorizojnë Millatoviq

Prej tvteuta17:15, 26 Mars 2023

Në zgjedhjet aktuale presidenciale në Mal të Zi, raundi i dytë i të cilave do të mbahet më 2 prill, një nga temat kryesore është diaspora, gjegjësisht, ardhja e saj apo jo për të përkrahur presidentin aktual Millo Gjukanoviq.

Por a është me të vërtetë diaspora aq e rëndësishme sa flitet?

Numrat tregojnë ndryshe. Gjukanoviq ka njoftuar më herët se pret të paktën 40.000 vota më shumë se në raundin e parë, por një numër aq i madh me siguri nuk mund të arrihet vetëm nga diaspora. Gjukanoviq shpreson edhe në një dalje më të madhe në zonat ku jetojnë popujt pakicë, pasi në randin e parë ishte mjaft e ulët.

Në anën tjetër kandidati i Lëvizjes Evropa tani, Jakov Millatoviq, tha se ndaj tij po bëhen shpifje të organizuara, se gjoja  avokon për privimin e të drejtave të diasporës. Ai në tribunën në Bijelo Polje tha se me diasporën ndan të njëjtën ëndërr – që Mali i Zi t’u ngjajë vendeve ku ata kanë ikur, dhe jo shteteve të kapura dhe regjimeve hibride kriminale. Ai më herët ka shprehur besimin se një pjesë e konsiderueshme e diasporës, do ta përkrah pikërisht atë.

Sa u përket numrave, Gjukanoviq në letër ka avantazh pasi në raundin e parë ka marrë mbi 20.000 vota më shumë, por Millatoviq mund të shpresojë në përkrahjen e madhe të votuesve të kundërkandidatëve në raundin e parë, Andrija Mandiq, Aleksa Beçiq dhe Goran Danilloviq, të cilët së bashku kanë marrë rreth 106.000 vota. Kjo bën që Millatoviq të shihet si favorit për postin e presidentit, pasi votat e kandidatëve të raundit të parë që mund të shkojnë drejt Gjukanoviq, nuk janë më shumë se 12.000.

Duke u nisur nga llogaria e thjeshtë, e vetmja mundësi që Gjukanoviq të fitojë më 2 prill, është që shumica e votuesve të kandidatëve që i kanë premtuar përkrahje, të mos votojnë Millatoviq ose të mos dalin fare në zgjedhje. Ardhja e diasporës mund të luaj rol, por vendimtar me siguri që jo.

  • 1

    Radio