(VIDEO) Banorët e Kravarit të Poshtëm vullnetarisht punojnë për të përmirësuar infrastrukturën

Prej tvteuta16:14, 1 Shkurt 2022

Kravari i Poshtëm nga pamja e parë mund të duket si një zonë e zakonshme rurale, por për ata që e njohin më mirë, e dinë se është shumë më tepër. Përveç tokës pjellore, e cila shfrytëzohet për mbjelljen e zarzavateve, kjo zonë shquhet edhe për banorët e organizuar mirë, të cilët nuk ngurrojnë të marrin përsipër çdo gjë që duhet, për të përmirsuar jetën e tyre.

Kësaj radhe janë angazhuar në rikonstruksionin e infrastrukturës rrugore në pjesë të caktuara, si dhe kanaleve, të cilët janë bërë problem në kohët e reshjeve. Njëri nga iniciatorët e këtij aktiviteti, Ahmet Aloshi, thotë për TV Teuta se punimet janë kryesisht vullnetare, por kanë pasur ndihmë financiare dhe nga bashkombësit në emigrim, ndërsa apelojnë që edhe Komuna e Ulqinit të ndihmojë sipas mundësive.

Për të përcjellur punimet ishte prezent edhe kryetari i Komunës, Aleksandër Daboviq, i cili tha se i vlerëson shumë inciativat e tilla, dhe premtoi se ndihma e Komunës nuk do të mungojë.

Tokat anës rrugës në këtë zonë janë deri diku të përmbytura nga uji, kurse edhe vetë rruga është plot me baltë dhe me kthesa të shumta. Banorët shpresojnë se me përfundimin e këtyre punimeve disa prej problemeve do të zbuten e disa edhe të zgjidhen përfundimisht.

 

VIDEO:

  • 1

    Radio