Sociale Më shumë

Punimet në kanalizim: Rugët me gropa dhe të paasfaltuara, banorët të revoltuar

Prej tvteuta18:41, 3 Shtator 2021

Realizimi i projektit me vlerë afër 5 milionë euro në ndërtimin e rrjetit të kanalizimit për Braticë, Mal të Bardhë, Totosh , Kodra dhe Fushë të Ulqinit, përveç vonesave të shumta si pasojë e zvarritjeve institucionale, hasi në probleme edhe për shkak të pandemisë, e më vonë edhe reshjeve të shumta në periudhën e dimrit.

Megjithatë, të gjitha këto nuk mund të jenë arsyetim për lënien e rrugëve me gropa dhe të pasafaltuara, duke krijuar probleme serioze për banorët që jetojnë në këto zona. Kompania italiane “Spiga” e cila fitoi tenderin për realizimin e këtij projekti, më herët ishte dhe objekt i kritikave për cilësinë e punimeve, kurse tani edhe për ndërprerjen e tyre duke i lënë rrugët në gjendje katastrofale.

Banorët janë të indinjuar tej mase, pasi këtë gjendje është dashur ta durojnë gjatë gjithë verës, duke dëmtuar automjetet në rrugët e paasfaltuara dhe gëllitur  pluhurin gjatë secilit kalim deri tek banesat e tyre.

Kam ardhur këtu në Mal të Bardhë për pushime dhe të shoh gjyshen, dhe gjej rrugët në këtë gjendje. Kjo nuk është në rregull, këta njerëz paguajnë për këto punime dhe nuk mund as të shkojnë si duhet tek shtëpitë e tyre.”, thotë njëri prej tyre.

Kompania u detyrua të ndërpresë punimet nga 15 qershori, kur edhe fillon ndalimi i punimeve për shkak të fillimit të sezonit turistik. Vazhdimi lejohet përsëri nga 15 shtatori, por vështirë të pritet që ato do të fillojnë menjëherë. Ndërkohë banorët vazhdojnë të vuajnë pasojat.

 

  • 1

    Radio