Kriza në Ukrainë Më shumë

Ukraina do ndëshkohet për Kurskun tha Ambasadori rus në SHBA

Prej tvteuta13:32, 23 Gusht 2024

Presidenti rus Vladimir Putin ka hartuar një plan-përgjigje ndaj inkursionit ukrainas në rajonin e Kurskut dhe ata që janë përgjegjës për sulmin ndaj Rusisë do të ndëshkohen, tha ambasadori rus në SHBA, Anatoli Antonov. “Unë ju them sinqerisht se presidenti e ka marrë një vendim”, citoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS të thoshte Antonov, të enjten vonë. “Unë jam plotësisht i bindur se të gjithë do të ndëshkohen ashpër për atë që ka ndodhur në rajonin e Kurskut.
” Komentet e Antonov, i cili nuk dha detaje të mëtejshme mbi planet e Putinit, erdhën pasi kreu i Kremlinit mbajti një takim të enjten me zyrtarë të lartë, përfshirë guvernatorët e rajoneve kufitare, mbi dy javë pasi Ukraina nisi sulmin e saj të rrufeshëm që është edhe inkursioni më i madh në Rusi nga një vend i huaj që nga Lufta e Dytë Botërore. Antonov, i cili ka shërbyer në postin e tij që nga viti 2017, paralajmëroi gjithashtu se SHBA, në një moment do të heqë të gjitha kufizimet në përdorimin e armëve të dërguara prej saj në Ukrainë.
“Administrata aktuale sillet si një person që të zgjat njërën dorë ndërsa mban një thikë pas shpine, në dorën tjetër,” tha Antonov. “Ata, në thelb, po krijojnë terrenin për të hequr të gjitha kufizimet ekzistuese në një pikë të caktuar, pa u menduar shumë,” tha ai. Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës më shumë se 55 miliardë dollarë ndihma ushtarake që nga viti 2022, por e kanë kufizuar përdorimin e armëve të tyre në tokën ukrainase. Kievi ka thënë ndërkohë se ka përdorur armë të prodhuara nga SHBA në pushtimin e Kurskut, duke përfshirë edhe bomba rrëshqitëse dhe sisteme raketash HIMARS. Uashingtoni nuk ka komentuar në mënyrë të drejtpërdrejtë përdorimin e armëve të prodhuara nga SHBA në rajonin e Kurskut, por ka thënë se politikat e SHBA-së nuk kanë ndryshuar dhe se Ukraina po mbrohet nga pushtimi i Rusisë.

  • 1

    Radio