Aktuale Më shumë

Këta janë personat e dyshuar për hapjen e tunelit në depon e Gjykatës së Lartë

Prej tvteuta14:41, 22 Shtator 2023

Ministri i Punëve të Brendshme Filip Axhiq tha se e kanë zbardhur rastin në pjesën e “gërmimit të tunelit” dhe shtoi se kanë identifikuar persona që janë marrë me hapjen e tunelit dhe se shumica e këtyre personave vijnë nga Serbia. “Ka një lidhje të caktuar të kësaj organizate kriminale me një person nga Gjykata e Lartë dhe me persona në UIKS dhe ata janë të lidhur me një nga grupet kriminale më të fuqishme në vendin tonë”, tha Axhiq. Ai po ashtu ka deklaruar se kanë pista që të çojnë në adresën e autorit të këtij krimi. “Personi nga Gjykata e Lartë është i lidhur me anëtarët e organizatës kriminale ndaj të cilëve është bërë ankesa”, ka theksuar Axhiq.

Ministri i Brendshëm Filip Axhiq publikoi fotografi të personave të dyshuar për gërmimin e një tuneli që lidh depon e Gjykatës së Lartë me një apartament në ndërtesën përballë rrugës.

Axhiq ka bërë të ditur emrat e të dyshuarve dhe ka thënë se fotografitë e këtyre personave janë dërguar në policinë e vendeve të rajonit.

“Ata janë: Velko Markoviq (1991), Millan Markoviq (1970), Dejan Jovanoviq (1993), dhe Vlladimir Eriq (1991)”, tha Axhiq.

Ai ka treguar edhe fotografitë e tyre. Ai shtoi se këta persona kanë të kaluar kriminale dhe se janë larguar nga Mali i Zi.

“Ne kemi informacione se kur janë larguar nga Mali i Zi dhe kanë kaluar kufirin përmes vendkalimeve legale shtetërore”, tha Axhiq.

Kujtojmë se grabitja e depos së gjykatës u vu re më 11 shtator, pas së cilës u zbulua se ishte hapur një tunel nga banesa në rrugën Njegosheva deri në depon e Gjykatës së Lartë.

Furgoni i përdorur nga të dyshuarit është gjetur nga policia më 13 shtator. Është zbuluar edhe një banesë në lagjen Zabello të Podgoricës, ku dyshohet se kanë banuar të dyshuarit.

  • 1

    Radio