Policia ndalon punimet në ndërtimin e mesxhidit në Shtoj

Prej tvteuta16:37, 10 Prill 2022

Ndërtimi i objektit për faljen e namazeve të besimtarëve islam, quajtur ndryshe edhe mesxhid, është një nevojë e kahmotëshme e shprehur nga banorët e Shtojit. Ata kanë rreth 10 vite që mundohen të gjejnë mënyrën për ta realizuar ndërtimin e një objekti të tillë, por nuk kanë arritur të kenë sukses. Kjo deri para disa muajve, kur bamirësi i njohur Hajriz Brçvak, vendosi që të ndihmojë në këtë drejtim dhe me mjetet e veta bleu tokën  në një zonë të Shtojit.

Këtë tokë ai përmes shoqatës joqeveritare “Hajriz” e kaloi në pronësi të Bashkësisë Islame të Ulqinit, me qëllim ndërtimin e objektit në fjalë. Me ndihmë dhe vullnetarizëm edhe nga persona të tjerë, ndërtimi i objektit filloi ka fundi i vitit të kaluar.

Atëherë filluan problemet e zakonshme me të cilët përballen shumica e ndërtuesve në Ulqin. Zona e Shtojit nuk ka plan urbanistik, kështu që çdo ndërtim aty nuk mund të ketë lejet e duhura, çka automatikisht sjell probleme me inspektorët dhe policinë.

Kjo ndodhi edhe ditën e diel më 10 prill, kur të gjithë punëtorët që po punonin në ndërtimin e objektit, u ndaluan nga policia.

Njëri prej tyre i angazhuar për disa punime në këtë objekt, Muharrem Kallaba, tha për TV Teuta se kjo nuk është e para herë që ata përfundojnë në polici për këtë çështje dhe objekti që po ndërtojnë ka vetëm pak më shumë se 100 metër katrorë, shumë më pak se objektet e tjera përreth.

Avokati Velija Muriq tha se ndalimi i punëtorëve nga ana e policisë është në kundërshtim me nenin 326A të Kodit Penal, dhe se ata nuk mund të mbajnë përgjegjësi për ndërtimin e objektit. “Eventualisht mund të thirren vetëm si dëshmitarë.”, thotë Muriq, duke shtuar se ekzistojnë dyshime se policia po vepron në mënyrë selektive.

Zeka Zekoviq nga OJQ “Hajriz” thotë se kanë bërë çdo gjë nga ana e tyre që të repsektojnë ligjin dhe të pajisen me lejet e duhura. Kanë  lejen e kryetarit të Komunës së Ulqinit, ku objekti në fjalë cilësohet si objekt i nevojshëm për qytetin, kanë kërkuar lejet nga ministria përkatëse, kanë miratimin e Bashkësisë Islame, dhe se nuk është faji i tyre që Shtoji nuk ka plan urbanistik.

Lidhur me veprimet e policisë në këtë rast, ai thotë se kanë dyshime se pas kësaj fshihen interesa të personave të caktuar, të cilët mund të kenë lidhje edhe me policinë.

Këshilltari i Partisë Boshnjake në Kuvendin e Ulqinit, Muamer Rashçiq, thotë se ndërtimi i mesxhidit është jashtëzokonisht i nevojshëm, pasi gjatë sezonit turistik besimtarët detyrohen të dynden drejt qytetit për të falur namazin, çka krijon edhe më tepër trafik në komunikacion.

“Në Shtoj ka 5000-6000 objekte pa leje. Edhe sikur të doni ta merrni lejen nuk mundet.”, thotë Rashçiq, duke shtuar se janë viktima të nevojës për të pasur një objekt të tillë.

TV Teuta shkoi edhe në vendgjarje për të parë objektin në fjalë, i cili me të vërtetë është i gabariteve të vogla. Të pranishmit na informuan se një pjesë e tokës, në të cilin ende gjendet objekti i vjetër i pushimores, do të shfrytëzohet për parking, pasi aty afër nuk ka haspirë tjetër për lënien e automjeteve.

Nuk duhet shumë për të kuptuar se iniciatorët e ndërtimit kanë të njëjtin hall si shumica e ndërtuesve në zona të caktuara të Ulqinit. Mungesa e planeve urbanistike me vite bën që ndërtimet në qytetin tonë të bëhen pa leje, duke sjellur probleme të shumtë, si gjatë ndërtimit ashtu edhe në procesin e legalizimit.

 

  • 1

    Radio