ZHGËNJIMI DHE DËSHTIMI I PARTIVE SHQIPTARE
Prej tvteuta15:53, 5 Prill 2019
( Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë veprime të këqija, por për shkak të atyre që vështrojn pa thënë dhe pa vepruar gjë. ) – Albert Ajnshtajn
Politika në parim është sistem i qeverisjes, qëllimi dhe funksioni i së cilës është mobilizimi i resurseve shoqërore dhe zotimi i tyre për arritjen e qëllimeve kolektive, pra, avancimin e pozitës shoqërore, dhe kjo nënkupton që është pjesë përbërëse dhe e pandashme e realitetit kohor dhe e faktorit njeri. Megjithatë, kjo paraqet formën e jashtme strukturore të ndërtimit dhe funsionimit të një shteti, ndërkaq kultura politike në rrafshin gjithëpërfshirës lirisht mund të themi se paraqet bërthamën e një shteti apo kombi, faktor ky që luan rol mjaft dominant në përcaktimin e zhvillimit politik, ekonomik e social të vendit…
Kriza të vazhdueshme; zgjedhje të rregullta dhe të parakohshme; fushata dhe kampanja të hershme; premtime boshe; koalicionim i ri dhe i vjetër; qeveri tenderokrate; dhe kthimi i filmit nga fillimi…Këto janë skenat kryesore të dramës tragjikomike e cila po luhet dhe ri-shfaqet për tri dekada në “teatrin” e quajtur Mal i Zi; me regjisor, skenar, aktor dhe përmbajtje të njejtë! Madje, ajo që të habit edhe më tepër është fakti se një dramë e këtillë po ndiqet dhe duartrokitet nga e njejta publikë dhe të njejtët spektatorë, të cilët përgjatë gjithë këtyre viteve po e ndjekin të njejtën “shfaqje”, dhe se, për çdo skenar të saj paguajnë nga koha, djersa dhe perspektiva e tyre, duke sakrifikuar të tashmen dhe të ardhmen e tyre, vetëm e vetëm për të “ngopur” epshet e pangopura të një shtrese të retarduar të shoqërisë.
Ky është realiteti dhe gjendja në të cilën janë katandisur qytetarët e Malit të Zi në përgjithsi, si dhe shqiptarët në veçanti. Përreth zhgënjimeve të njëpasnjëshme për gati tri dekada, ata vazhdojnë ta venë jetën e tyre si “bast” në duar të disa klaneve “biznesore-kriminele”, të cilat, për interesat e tyre personale, janë në gjendje të tregëtojnë jo vetëm me interesat dhe fatin e popujve të cilët i përfaqësojnë, por praktika e tyre e deritanishme ka dëshmuar se apetitet e tyre karrierariste tejkalojnë çdo normë njerëzore dhe humane.
Ne këtë kontekst, rasti i popullit shqiptarë është shumë më brengosës dhe tragjik . Kjo. Nga shkaku se, shqiptarët e këtij nënqielli, përveç që po i nënshtrohen një lufte dhe diskriminimi në gjitha aspektet dhe sferat e jetës, ata, në të njejtën kohë mbi “lëkurën” e vet përjetojnë nëpërkëmbje të skajshme të dinjitetit dhe vlerave, nëpërkëmbje kjo, e cila ushtrohet nga ana e të “zgjedhurve”të tyre. Kështu, përtej faktit që shqiptari sot po ndjehet si qytetar i rendit të dytë dhe qiraxhi në shtëpinë e vetë; i varfëruar dhe “lypsar” ndaj arkës së buxhetit në të cilin participon; i xhveshur nga të drejtat elementare njerëzore, i rrahur, i arrestuar, i arratisur dhe i nënçmuar; atij sot po nëpërkëmbet krenaria, nderi dhe intelegjenca kolektive, duke e shëndërruar atë në pronë partiake dhe në makineri votuese, me qëllim të realizimit të disa interesave klanore.
Një realitet i këtillë i hidhur nuk mungoi as edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale. Fushata parazgjedhore, si zakonisht, në mungesë të platformës së mirëfilltë politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore, u karakterizua me “bajrakterizëm” dhe premtime boshe. Përgjatë fushatës parazgjedhore, asgjë nuk u la pa u instrumentalizuar duke filluar nga ajo më e shenjta-vlerat kombëtare dhe fetare, e deri te ajo më e ndjeshmja siç është gjaku i dëshmorëve të kombit. Mbase, nuk është hera e parë që këta diletantë politikë tallen dhe nëpërkëmbin vlerat kombëtare dhe hyjnitë!
Së këndejmi, dhe pas mbarimit të odisesë zgjedhore, zhgënjimi ishte i pashmangshëm, edhe atë, jo nga shkaku se elektorati priste realizimin e premtimeve të dhëna dhe të parealizuara disa herë me rradhë, por ky zhgënjim erdhi si pasojë e talljes “ashiqare” me vetëdijen dhe inteligjencën e elektoratit shqiptar i cili i votoi, duke ndryshuar , fjalët dhe qëndrimet për 180 shkallë nga ato të parazgjedhjeve. Prandaj, ajo që më tepër të bën të zhgënjehesh në raste të këtilla, është pikërisht ajo që thotë populli. “Nuk hidhërohem se më gënjen, por hidhërohem kur mendon se po i besoj rrenës së tij”.
Dështimi i rradhës nuk konziston në mosmarrjen e disa posteve të pretenduara në nivel qëndror e veçmas lokal (të cilat poste, edhe po t’i kishin marrë, asgjë e jashtëzakonshme nuk do të ndodhte), porse, ky dështim ka të bëj pikërisht me faktin se edhe pas tri dekadave të pluralizmit në Mal të Zi, gjendja dhe statusi politiko – juridik i shqiptarëve mbetet nën hijen e nepotizmit, korrupsionit, mini –tendereve si dhe mega –skandaleve të disa individëve të pacipë, të cilët mbajnë peng një popullatë të tërë si dhe aspiratat e saj për mirëqenie dhe jetë dinjitoze.
Andaj, marrë parasyshë këtë zhgënjim dhe dështim të ri / të vjetër, i cili po e përcjell popullin shqiptar me vite, dhe me qëllim të haperimit në trend me kohën, ky popull duhet që sa më shpejtë të zgjohet nga ky ankth që po e ngulfat të tashmen e tij si dhe duke filluar të mendojë dhe punojë për krijimin e një alternative të mirëfilltë, e cila do të jetë në nivel të sfidave me të cilat ballafaqohet si dhe idealeve të cilat i synon. Përndryshe, ky popull dhe kjo shoqëri nuk do të mund të amnistohet nga përgjegjësia historike përmes kritikave dhe pakënaqësive të cilat i shpreh gjatë bisedave të pasdarkës nëpër oda dhe kafene të tymosura, duke e ngulfatur në këtë mënyrë edhe më shumë vehten.
Qani Osmani