Era shkaktoi dëme të konsiderueshme në bregdet
Prej tvteuta16:54, 23 Shkurt 2019
Era shkaktoi dëme të konsiderueshme në bregdet
Era e fuqishme me shpejtësi mbi 100km/h, që ka fryrë gjatë natës dhe ditës së sotme, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonat bregdetare të Malit të Zi dhe Podgoricë. Dëme ka pasur në qytetet e Herceg Novit, Tivatit dhe Tivarit, ku era ka rrëzuar panotë dhe ka dëmtuar disa ndërtesa. Në Podgoricë dhe disa zona të Tuzit po ashtu janë lajmëruar dëme nga erërat e forta. Dëme ka pasur edhe në Komunën e Ulqinit, ku era ka rrëzuar panotë, disa pemë dhe ka shkaktuar dëme në sinjalistikën rrugore nëpër qytet dhe në Anë të Malit. Drejtori i ndërmarrjes publike “Veprimtaritë komunale” Skender Kaleziqi, tha për televizionin Teuta se ekipet e tyre ishin tërë ditën në terren duke bërë sanimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia. Dëme të konsiderueshme mëndohet të ketë edhe në amvisëritë bujqësore në zonat rurale, për të cilat ekipet do të regjistrojnë dëmet gjatë ditëve në vazhdim.